Serbia do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 18 ose 25 tetor
Serbia do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 18 ose 25 tetor, ndërsa data përfundimtare pritet të vendoset në ditët në vijim, tha presidenti Aleksandar Vuçiç.
“Sa i përket listës ku do të jem pjesë, do të luftojmë për të fituar shumicën e votave. E dimë se nuk do të kemi shumicë në parlament nëse nuk sigurojmë 126 mandate”, tha Vuçiç në një intervistë televizive për transmetuespublik RTS të enjten në mbrëmje.
Në një tubim proqeveritar në Beograd më 27 qershor, Vuçiç kishte deklaruar se do të jepte dorëheqjen nga posti i presidentit brenda disa javësh, pasi më herët kishte lënë të kuptohej se mund të kandidonte për kryeministër. Të enjten ai nuk dha një afat se kur mund të largohej nga posti i kreut të shtetit.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Serbi duhet të zhvillohen deri në fund të dhjetorit 2027, ndërsa mandati i dytë dhe i fundit presidencial i Vuçiç përfundon në maj 2027.
Presidenti serb është përballur me presion në rritje për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme pas aksidentit tragjik në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ngjarja shkaktoi një valë protestash kundër qeverisë dhe korrupsionit, të udhëhequra nga studentët, me kërkesa për përgjegjësi institucionale dhe që kanë sfiduar dominimin politik të Vuçiç.
Lëvizja studentore ka njoftuar se do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme dhe shihet si rivali kryesor i Partisë Progresive Serbe (SNS), forcës politike në pushtet.
Vuçiç ka një karrierë të gjatë politike. Ai shërbeu si ministër i Informacionit në periudhën 1998–2000, gjatë qeverisjes së Slobodan Millosheviçit, u bë ministër i Mbrojtjes në vitin 2012, kryeministër në vitin 2014 dhe president në vitin 2017.
Qeveria aktuale e Serbisë, e drejtuar nga endokrinologu Djuro Macut, mori votëbesimin e parlamentit në prill të vitit të kaluar, pasi Milos Vuçeviç, kryetar i SNS-së, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit mes protestave studentore.
Qeveria e Vuçeviçit ishte formuar në maj 2024, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të zhvilluara në dhjetor 2023.
SNS mban aktualisht 129 nga 250 vende në parlamentin serb dhe qeveris në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila ka 18 mandate.
Serbia synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërkohë që ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Për të avancuar në procesin e integrimit europian, i cili ka ngecur vitet e fundit, vendi duhet të përafrojë politikën e jashtme me BE-në dhe të bëjë progres të qëndrueshëm në shtetin e së drejtës, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pavarësinë e gjyqësorit dhe lirinë e medias, sipas Parlamentit Europian. /Burimi: Monitor